Letra e presidentit Saraçini për EHF-në, pas ngjarjeve në Banjallukë

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Federatës së Hendbollit të Kosovës lidhur me fyerjet anti-shqiptare në ndeshjen e luajtur të dielën në Banjallukë të Bosnjë-Hercegovinës në mes të skuadrës Borac nga Banjalluka dhe Besa Famgas nga Peja.
Presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini të hënën i është drejtuar me një letër Federatës Evropiane të Hendbollit ku ka shprehur brengat e FHK-së lidhur me ngjarjet në ndeshjen e zhvilluar në Banjallukë.
Në letrën e presidentit Saraçini shkruan:
“Federata e Hendbollit e Kosovës dënon ashpër sjelljet nacionaliste të tifozëve të klubit të hendbollit Borac nga Banjalluka, të shfaqura në ndeshjen me Besa Famgas, të dielën në Banjallukë.
Në ndeshjen mes RK Borac dhe HC Besa Famgas, organizimi i së cilës ishte i nivelit të ulët, kishte shprehje të ulëta dhe nacionaliste, që nuk duhet të shfaqen në sportin evropian të hendbollit. “Vritni, vritni shqiptarët”, “Kosova është Serbi”, “Vritni, që shqiptarët mos të ekzistojnë”, ishin vetëm disa prej brohoritjeve nga qindra tifozë vendas.
Federata e Hendbollit e Kosovës është e indinjuar thellë edhe nga sjellja e delegatit dhe gjyqtarëve, të cilët në asnjë moment nuk reaguan ndaj këtyre sjelljeve, ndonëse delegati e di gjuhën serbe shumë mirë. Lojtarët e ekipit nikoqir u përfshinë gjithashtu në këto ngjarje.
Të dashur miq të hendbollit, sjellje të tilla duhet të ndëshkohen rëndë nga të gjithë në familjen evropiane të hendbollit. Këto sjellje nuk janë gjë tjetër veçse huliganizëm dhe frymëzim i rrezikshëm për hendbollin në përgjithësi.
EHF-ja duhet të marr masa të menjëhershme për të ndaluar këto sjellje dhe që të mos gjejnë mbështetje nga drejtuesit e klubeve serbe në Bosnjë-Hercegovinë dhe më gjerë. EHF-ja duhet të jetë gati të ndëshkojë çdo pjesëmarrës në këto ngjarje, përfshirë organizatorin e ndeshjes, por edhe delegatët dhe gjyqtarët evropianë, që nuk kanë reaguar në asnjë moment.
Shpresoj që kjo të mos ndodhë asnjëherë më.

Lajme tjera