Mali i Zi dhe Greqia kanë zhvilluar një ndeshje shumë të fortë të dielën mbrëma në Podgoricë, në një palestër të stërmbushur me shikues dhe atmosferë të zjarrtë.
Para 5000 shikuesve, Mali i Zi fitoi 33:25 dhe siguroi biletën për në Botërorin e vitit të ardhshëm. Ndeshjen e parë, të luajtur para katër ditësh në Greqi, vendasit e kishin fituar me 25:23.
Mali i Zi është kundërshtar i Kombëtares së Kosovës në eliminatoret për Euro 2024 dhe ishte kundërshtar në kualifikimet për Evropianin e kaluar.
Ndërkohë me Greqinë, Kombëtarja jonë ka luajtur në fazën e parë kualifikuese për Botëror. Të dy ndeshjet ishin të fora, ndërsa përfunduan me një gol dallim në të mirë të grekëve.
Prej kundërshtarëve që Kosova kishte në grup, në Botëror është kualifikuar Belgjika.
Me Belgjikën djemtë tanë kishin një barazim e një humbje.
Belgjika e kaloi fillimisht Sllovakinë. Më pas është dashur të përballet me Rusinë, por pas suspendimit të Rusisë, belgët siguruan biletën.
Të dielën biletën për në Botëror e siguruan edhe Maqedonia e Veriut, që fitoi 27:25 ndaj Çekisë, pas barazimit 24:24 në ndeshjen e parë.
Portualia fitoi 35:28 ndaj Holandës në Eindhoven, ndonëse e kishte humbur 33:30 ndeshjen e parë në shtëpi.
Suedia, Polonia, Danimarka, Spanja, Franca, Norvegjia, Belgjika, Hungaria, Kroacia, Islanda, Serbia, Gjermania, Portugalia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë Kombëtaret nga Evropa që janë kualifikuar në Botëror.