Maqedonia fiton ndeshjen më dramatike të mbrëmjes

Maqedonia e ka fituar ndeshjen më interesante të ditës së dytë të kampionatit evropian në hendboll për meshkuj që po mbahet në Kroaci. Përfaqësuesja e vendit fqinj të shtunën mbrëma në Zagreb fitoi ndaj Sllovenisë me rezultatin e ngushtë, 25:24. Ishte një ndeshje plot dramë e hendboll cilësor, por në fund më të koncentrur ishin lojtarët e Maqedonisë. Dejan Manaskov me tetë gola ishte më efikasi te Maqedonia, ndërsa Zhiga Mlakar realizoi katër gola për Slloveninë.

Kjo ndeshje i takoi grupit C të fazës preliminare. Në kuadër të këtij grupi u luajt edhe ndeshja mes Gjermanisë dhe Malit të Zi. Fitore bindëse, me rezultatin 32:19, shënoi Gjermania.

Rezultate bindëse janë shënuar edhe në dy ndeshjet e grupit D. Spanja ka mposhtur thellë Çekinë, me rezultatin 32:15. Ndërkohë Danimarka ka arsyetuar rolin e favoritit dhe ka fituar ndaj Hungarisë me rezultatin 32:25.

Të dielen (nesër) luhen ndeshjet e dyta në grupet A dhe B. Në kuadër të grupit A nga ora 18:15 luajnë Serbia e Suedia, ndërsa prej orës 20:30 Islanda e Kroacia. Në grupin B, Austria e Franca përballen prej orës 18:15 kurse Norvegjia e Bjellorusia prej orës 20:30.

Lajme tjera