Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Maxhera: Jemi shumë të motivuar për ndeshjen e së enjtes

Te Trepça ka besim të madh se do ta barazojnë në 1:1 rezultatin në serinë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt). Në finale të plejofit, Trepça po takohet me Besa Famgas. Ndeshjen e parë të luajtur të shtunën në Pejë, Besa e fitoi me tri gola dallim. Ndërkohë ndeshja e dytë është të enjten prej orës 20:15 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Te Trepça besojnë se në palestër do të ketë shumë tifozë dhe kjo do t’i ndihmojë për të shënuar fitore.
“Trepça në ndeshjen e së enjtes paraqitet e motivuar për rezultat pozitiv. Luajmë në terrenin tonë. Tashmë është dëshmuar shumë herë që Trepça ka numrin më të madh të tifozëve në Kosovë. Një tifozëri e zjarrtë si ‘Torcida’ është motivi ynë më i madh”, ka thënë kapiteni i Trepçës, Sali Maxhera.
Trepça e ka mposhtur Besa Famgasin në finale të Kupës, për trofeun e parë pas shumë vitesh. Ndërkohë në finalen e parë të plejofit, skuadra mitrovicase ishte në lojë thuajse deri në fund.
“Jemi të kompletuar dhe të fokusuar 100 për qind në ndeshjen e së enjtes. Motivimi në fakt ka qenë që prej fillimit të kampionatit. Njëri qëllim është arritur me sigurimin e Kupës së Kosovës. Ai trofe na ka shtuar motivin edhe për kupën tjetër, atë të kampionit”, ka shtuar Maxhera.