Beku Natalija Milatoviq ishte prej lojtareve më të mira të Istogut në serinë finale të plejofit, por edhe gjatë gjithë edicionit. Istogu të mërkurën e fitoi titullin e kampionit të Kosovës në hendboll, të dytin në histori.
Istogaset i fituan të dy ndeshjet finale ndaj Ferizajt. Titullin e festuan pikërisht në Ferizaj. Milatoviq në të dy ndeshjet finale shfaqi nivel të lartë.
Istogu ka fituar të gjitha 26 ndeshjet kampionale.
“Pas gjithë atij mundi të investuar, punës dhe përpjekjeve, sinqerisht kam pritur këtë bilanc. Nuk ishte lehtë, kemi dhënë çdo gjë nga vetja dhe kemi lënë zemrën në terren. Kështu që e gjithë kjo është dashur të na shpërblehet me këtë rezultat”, ka thënë Milatoviq pasi iu gëzua titullit të kampionit me Istogun.
Natalia Milatoviq ka luajtur për të rejat e Kosovës, ndërsa tashmë llogaritet pjesë e Kombëtares A.
“Kampionatin e ka vendosur organizimi i mirë i klubit tonë, mbrojtja e fortë dhe sulmi i mirë e efikas. Natyrisht e gjithë kjo me atmosferë të mirë dhe përkrahje të madhe”, ka vazhduar tutje Milatoviq.
20-vjeçarja është e kënaqur edhe me kontributin personal.
“Për mua këto paraqitje janë me shumë rëndësi, pas punës së madhe që kam bërë. Paraqitjet e fundit vetëm kanë shtuar dëshirën për suksese”, thotë hendbollistja e Istogut.
Istogun e pret edhe gara për Kupë të Kosovës. Turneu final luhet po në Ferizaj.
“Është e mundur ta fitojmë edhe Kupën. Ne sërish do të japim çdo gjë nga vetja dhe do të shpresojmë për suksesin më të madh”, ka thënë Milatoviq.