Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

“Minatori”, arenë e derbit të madh

Palestra “Minatori” në Mitrovicë është arenë e derbit të madh të Superligës së Kosovës në hendboll.
Të shtunën mbrëma prej orës 19:00 në palestrën buzë lumit Ibër takohen hendbollistët e Trepçës me ata të Rahovecit. Ndeshja i takon javës së 13-të të Superligës, të parafundit për këtë vit.

Derisa vendasit kërkojnë revanshin për humbjen e thellë që ua shkaktoi Rahoveci javë më parë, “vreshtarët” udhëtojnë për të vazhduar serinë e fitoreve. Rahoveci do të jetë pa lojtarin kryesor, Egzon Gjuka, që është operuar pas një lëndimi të pësuar. Ndërkohë te Trepça do të mungojnë Lulzim Shabani e Marley Wallace, po ashtu të lënduar.

Rahoveci ka fituar 12 ndeshjet e deritashme dhe udhëheq në tabelë me 24 pikë. Trepça është e treta me 18 pikë, sa i ka edhe Besa Famgas në pozitën e dytë.

Pikërisht Besën e mposhtën “xehetarët” në xhiron e kaluar dhe kështu janë motivuar edhe më shumë për duelin me Rahovecin. Rahovecasit synojnë të dëshmojnë se jo rastësisht kanë fituar të gjitha ndeshjet dhe jo rastësisht janë në pozitën e parë në tabelë.

Të shtunën prej orës 19:00 janë edhe ndeshjet Besa Famgas – Prishtina dhe Deçani – Vushtrria.
Ndërkohë xhiroja e 13-të mbyllet me ndeshjen Vëllaznimi – Kastrioti, që zhvillohet të dielën nga ora 18:00.