Ndërron jetë legjenda e hendbollit kosovar, Skender Sahiti

Një prej ikonave të hendbollit kosovar, Skender Sahiti ka ndërruar jetë të hënën, pas një sëmundje të rëndë. Me ndarjen nga jeta të Skender Keno Sahitit, Federata e Hendbollit të Kosovës dhe hendbolli e sporti kosovar në përgjithësi kanë mbetur pa një prej figurave më të dashura dhe më të respektuara. Trashëgimia e Sahitit për hendbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi dhe atë ferizajas në veçanti vlerësohet shumë e madhe.

Si portier, përkatësisht lojtarë, Sahiti ka prekur majat me Borcin e famshëm të Ferizajt, sukseset e të cilit janë të lidhura ngushtë më emrin e tij. Borci ishte klubi i zemrës i të ndjerit, ndërsa klubi që bëri histori ka frymuar me Sahitin. Borci me Sahitin në përbërje dhe gjeneratën e tij, ka arritur sukseset më të mëdha, duke u paraqitur me sukses edhe në ligën e parë të shtetit të dikurshëm federativ, Jugosllavisë.

I lindur në vitin 1955, Skender Sahiti nga viti 1972 deri në vitin 1987 ishte aktiv në Borcin e periudhës së artë. Më pas kaloi në Itali ku ishte pjesë e skuadrës Rubeira. Pasi u kthye në Kosovë, mori drejtimin e Prishtinës (meshkujt), të cilën skuadër e drejtoi nga viti 1989 deri në vitin 1991. Më pas u kthye në Itali ku drejtoi skuadra të meshkujve e femrave. Ka pasur karrierë shumë të suksesshme si trajner në Itali, vend në të cilin qëndrojë deri në vitin 2008. Pasi u kthye në Kosovë sërish, ka drejtuar skuadrat e Kastriotit e Kosovës së Vushtrrisë.

Keno Sahiti asnjëherë nuk është ndarë nga loja e hendbollit të cilës i ka dhënë shumë, por me të cilën edhe ka jetuar.

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini në emër të FHK-së dhe të gjithë komunitetit të hendbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Sahiti dhe klubit Kastrioti.

Lajme tjera