Të martën është tërhequr shorti për ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në hendboll. Në garë për Kupën e Republikës së Kosovës janë katër skuadra cilësore te meshkujt dhe poashtu te femrat. Priten ndeshje interesante, me rivalitet dhe me hendboll cilësor.
Te meshkujt në gjysmëfinalen e parë takohen Kastrioti i Ferizajt, që në pranverë po shfaq formë të mirë dhe Besa FamGas, kampioni në fuqi dhe lideri i tabelës në Superligë. Prishtina – Trepça është gjysmëfinalja e dytë. Prishtina është e dyta në Superligën A, kurse Trepça prinë në Superligën B. Bëhet fjalë për dy skuadra tjera me traditë, përballjet e të cilave gjithnjë kanë ofruar lojë të mirë për tifozët.
Te femrat gjysmëfinalja e parë luhet mes Shqiponjës e Kastriotit. Në gjysmëfinalen e dytë luajnë Istogu e Vushtrria.
Ndeshjet gjysmëfinale të Kupës luhen më 4 maj. Më 6 maj janë ndeshjet finale. Për vendin se ku do të luhen ndeshjet do të vendos Bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës në mbledhjen e radhës.