Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Ndeshje interesante në javën e 16-të

Në fundjavë zhvillohet xhiroja e 16-të e Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Të shtunën janë tri ndeshje, ndërsa në dy prej tyre pritet rivalitet dhe hendboll i mirë.
Trepça e Rahoveci takohen nga ora 18:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Vendasit llogarisin në dy pikë, por edhe “vreshtarët” udhëtojnë me pretendime.

Për Rahovecin është ndeshja e parë në pranverë, ndërsa Trepça është e motivuar pas barazimit në kryeqytet me Prishtinën.

Trepça është e dyta me 25 pikë, ndërsa Rahoveci mban vendin e katërt me 18 pikë, kurse e ka një ndeshje më pak të luajtur.

Llapi – Prishtina është ndeshje tjetër e së shtunës, që fillon në ora 19:00. Prishtina është favorite, por Llapi do të synojë pikë. Prishtina është e treta me 25 pikë, ndërsa Llapi mban vendin e tetë me 10 pikë.
Edhe Drenica – Deçani luhet të shtunën prej orës 19:00. Deçani llogaritet favorit.

Të dielën është ndeshja në mes të Kastriotit e Vëllaznimit, që po ashtu do të ofrojë rivalitet. Kjo ndeshje fillon prej orës 18:00. Kastrioti është i pesti me 14 pikë, ndërsa Vëllaznimi i gjashti me 12 pikë. Pikët janë të rëndësishme për të dy skuadrat.

Besa Famgas është e lirë këtë xhiro, pas largimit të Zhegrës nga garat.