Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Në “ Minatorin” e mbushur me shikues Trepça fiton ndaj Prishtinës

Rreth 1800 shikues janë mbledhur në palestrën “Minatori” në Mitrovicë për ndeshjen e parë gjysmëfinale të plejofit mes Trepçës dhe Prishtinës. Në atmosferë të bukur sportive, Trepça ka fituar me rezultat 32:29 dhe ka bërë hapin e parë drejt finales së plejofit.
Falë pritjeve të Mohammed Hachemi, Trepça e nisi ndeshjen me 4:0. Por Prishtina u kthye gradualisht në lojë dhe barazoi 8:8 në minutën e 16-të. Më pas kaloi në epërsi 9:8. Në vazhdim u luajt ndeshje e fortë, ndërsa në epërsi kryesisht ishin vendasit. Pas 30 minutave lojë rezultati ishte 17:16.
Fillimi i pjesës së dytë po ashtu ishte i barabartë. Në minutën e 48-të vendasit u shkëputën në 26:23, por prishtinasit u afruan në 26:25. 29:25 ishte shkëputja tjetër e Trepçës, që doli të jetë vendimtare. Prishtina u afrua në 30:28, por jo edhe më shumë. Në fund dallimi ishte tri gola.
Deniz Terziqi i shënoi 11 gola për Trepçën. Shtatë i kishte Yassine Henahen, aq sa i realizoi edhe aloja Lulzim Shabani.
Te Prishtina u dallua Enis Kuleta me dhjetë gola. Sergio Barreto i kishte gjashtë gola, ndërsa Oltion Beshiri e Albi Gjuka nga katër.
Ndeshja e dytë gjysmëfinale është të dielën në Prishtinë.

Lajme tjera