Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Në Vushtrri ndeshja më interesante e çerekfinales

Një lojtare me top në dorë është hedhur lartë për të shënuar gol, përballë ka portieren e ekipit kundërshtar e cila po qëndron e gatshme që t’a ndalojë gjuajtjen e saj, kurse mbrapa lojtares janë disa hendbolliste të ekipit kundërshtar dhe disa bashkëlojtare të saj.

Dy skuadrat që synojnë trofe këtë edicion, KHF Vushtrria e KHF Ferizaj, takohen të mërkurën (nesër) nga ora 18:00 në palestrën “Jeton Tërstena – Tota” në Vushtrri.

Ndeshja Vushtrria – Ferizaj i takon çerekfinales së Kupës së Republikës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.

Pritet ndeshje e fortë e cilësore e po ashtu numër i madh shikuesish. Në dy ndeshjet e kaluara Vushtrria ka pasur përkrahje të madhe nga shikuesit.

Ferizaj për herë të parë po luan në Superligë, por ka startuar fuqishëm dhe së bashku me Istogun, Prishtinën e Vushtrrinë pritet të zhvillojë garë të fortë për trofe.

Të mërkurën nga ora 15:00 është çerekfinalja tjetër në mes të Istogut dhe Dritës. Istogu është favorit i madh.

Dy ndeshjet tjera çerekfinale janë të enjten. Kastrioti e Shqiponja takohen nga ora 17:00, ndërsa edhe në këtë ndeshje pritet të ketë rivalitet. Vëllaznimi e Prishtina luajnë prej orës 18:00 kurse prishtinaset janë favorite për të shkuar në gjysmëfinale.