Prej 8 deri më 16 korrik në Prishtinë mbahet një prej Kampionateve Evropiane të grupmoshës U19 në hendboll (vajzat). Në Evropianin e Divizionit B në Prishtinë marrin pjesë nëntë ekipe kombëtare, ka njoftuar EHF-ja.
Shorti tërhiqet të martën (sot) prej orës 11:00 në Vjenë.
Në vazon e parë janë Sllovakia e Austria. Në vazon e dytë janë Polonia e Italia, ndërsa në të tretën janë Finlanda e Letonia. Kosova e Izraeli janë në vazon e katërt, ndërsa Britania e Madhe në vazon e pestë. Ndërkohë Kombëtarja U17 e Kosovës (vajzat) do të paraqitet në Evropianin që do të mbahet në Ankara të Turqisë prej 5 deri më 13 gusht.
Në atë Evropian do të paraqiten dhjetë ekipe kombëtare: Sllovakia, Austria, Polonia, Italia, Turqia, Finlanda, Letonia, Kosova, Bullgaria e Britania e Madhe.
Aktualisht Kombëtarja U17 po paraqitet në Kampionatin Mesdhetar në Greqi.