Të martën tërhiqet shorti për raundin e dytë të Kupës Evropiane. Shorti tërhiqet prej orës 11:00 në selinë e EHF-së në Vjenë.
EHF-ja ka bërë disa ndryshime në procedurën e shortit për të evituar udhëtimet e gjata pas situatës së krijuar me COVID-19. Në vend se të ndajë ekipet në dy vazo, EHF-ja ka formuar tri zona, bazuar në vendet prej nga vijnë skuadrat. Në secilën zonë do të jenë nga dy vazo.
Ndeshjet e raundit të dytë të Kupës Evropiane për hendbollistë luhen më 14/15 nëntor dhe një javë më vonë.
51 ekipe janë regjistruar për të garuar në edicionin e parë të Kupës Evropiane, që zëvendëson Kupën Sfiduese. 19 fitues të raundit të dytë do t’iu bashkohen 13 ekipeve që direkt kalojnë në raundin e tretë. Dy skuadrat kosovare, Besa Famgas e Prishtina janë në zonën e dytë.
Janë në vazo të ndryshme dhe EHF-ja nuk ka përjashtuar mundësinë që të ketë përballje të skuadrave nga i njëjti vend.
Në vazon e parë në zonën e dytë janë Besa Famgas, pastaj Zhelezniçari (Serbi), Dobrudja (Bullgari) Kartina Tiraspol (Moldavi), CSM Bucuresti (Rumani), Diomidis Argous (Greqi) dhe Graçanica (Bosnjë-Hercegovinë).
Në vazon e dytë është Prishtina e pos saj edhe Odessa (Ukrainë), Spor Toto (Turqi), Bosna Vispak Visoko (Bosnjë-Hercegovinë), Antalyaspor (Turqi), SGAU-Saratov (Rusi), Sloga Gornji Vakuf Uskoplje (Bosnjë-Hercegovinë).
Besa do të ketë kundërshtar nga vazoja e dytë e Prishtina nga vazoja e parë.
U dëshirojmë fat në short dy skuadrave tona.