Paraqitje trimëruese e Kosovës ndaj Polonisë

Hendbollistët e Kosovës për mbi 40 minuta ishin rivalë plotësisht të barabartë me hendbollistët e superfuqisë evropiane, Polonisë. Në fund Kosova humbi me 11 gola dallim (30:19), por rezultati në fakt nuk e dëshmon drejtë atë që u shfaq në fushën e lojës. Lojtarët e Kosovës falë angazhimit maksimal dhe lojës së organizuar rezistuan me plot sukses ndaj polakëve, ndërsa për kohë të gjatë ishin edhe më të mirë.

Por disa gabime rresht në sulm, e më pas disa vendime të gjyqtarëve që nuk patën kriter të njëjtë për të dy ekipet, bënë që Polonia të shkëputet në rezultat pas minutës së 40-të. Dhe në fund diferenca ishte 11 gola.

Por paraqitja e Kosovës ishte trimëruese, sidomos në pjesën e parë. Deri në minutën e 21-të Kosova ishte në epërsi, që shkoi deri në tri gola (7:4). Në minutat e fundit të pjesës së parë Kosova humbi dy penallti dhe kjo ndikoi që pjesa e parë të humbet me një gol dallim. 13:12 ishte rezultati në fund të 30 minutave, në të mirë të polakëve. Të përzgjedhurit eTaip Ramadanit u mbajtën mirë edhe në dhjetë minutat e parë të pjesës së dytë, por më pas patën vështirësi, sidomos në sulm, dhe shkëputja u bë edhe falë disa vendimeve të gjyqtarëve.

Ndeshja Poloni – Kosova u luajt në Povoa de Varzim të Portugalisë, të premten mbrëma dhe i takoi grupit të katërt të eliminatoreve për botërorin e vitit 2019. Menjëherë të shtunë (nesër), Kosova luan me Portugalinë vendase nga ora 19:00, ndërsa të dielen përfaqësuesja jonë përballet me Qipron. Në ndeshjen ndaj Polonisë, Kosova vlerësohet se e ka bërë hapin para që e ka synuar. Lojtarët kanë shfaqur vlera dhe poashtu lojë të pjekur për shumicën e kohës. Polonia ka plot 13 lojtarë që luajnë në Champions.

Polonia – Kosova 30:19 (13:12)

Polonia: Makowiejew 1, Krajewski, Walczak, Nogowski 3, Wyszomirski, Genda 2, Syprzak 4, Moryto 10, Gebala, Przybylski 5, Paczkowski 1, Gierak 1, Krieger, Gebala 2, Chrapkowski 1, Morawski

Kosova: Zherka, Jupa, Krasniqi, Hoxha 4, Dedaj 2, Gerbeshi, Ahmeti, Terziqi 2, Xhafolli, Beshiri 3, Abdullahi 6 Quni, Dri. Tahirukaj 1, Dre. Tahirukaj, Berisha 1, Ramosaj.

Lajme tjera