Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ka dëshpëruar në ndeshjen e fundit të eliminatoreve për botërorin e vitit të ardhshëm. Të dielen mbrëma në Povoa de Varzim të Portugalisë, përfaqësuesja jonë pësoi nga Qipro me rezultatin 24:22. Kështu Kosova kualifikimet i mbylli me tri ndeshje të humbura. Dy humbjet e para erdhën nga përfaqësuese të nivelit të lartë, Polonia e Portugalia. Në të dy këto ndeshje Kosova është mbajtur mirë, ashtu si edhe synonte, sidomos ndaj Polonisë që e rivalizoi për plot 40 minuta.
Por ndaj qipriotëve, lojtarët e Kosovës nuk realizuan atë që pritej prej tyre. U vërejtën shenja të lodhjes te Kosova, ndërsa në momente, te ndonjë lojtar, pati edhe mungesë të dëshirës së madhe për fitore.
Tutje shkoi Portugalia, që në ndeshjen vendimtare barazoi me Poloninë me rezultat 27:27. Ky barazim i ka mjaftuar portugezëve për të shkuar në plejof.
Përfaqësuesja jonë largohet e dëshpëruar nga Portugalia, për shkak të disfatës nga Qipro, të cilën e mposhti vjet në kampionatin e IHF-së për vendet me hendboll në zhvillim. Por paraqitjet me Poloninë dhe Portugalinë do t’i shërbejnë Kosovës në sfidat e rradhës, në ato kualifikuese për evropian.
“Zhgënjim i madh. Tri herë patëm mundësi t’i ikim Qipros, tri herë i lejuam të kthehen në lojë. Synimi ynë ka qenë fitorja dhe kemi besuar në të. Kemi bërë më shumë se 20 gabime teknike dhe kemi humbur gjuajte një kundër një si edhe penallti. Këto gabime gjithnjë janë dënuar. Por edhe lodhja fizike ka patur një ndikim në disa lojtarë. Investuam një mundim shumë të madh në lojën kundër Polonisë dhe në atë kundër Portugalisë dhe nuk mundëm të rikuperohemi mjaftueshëm. Kemi dëshmuar se mund të luajmë në nivel më të lartë se me atë që luajmë javë për javë nëpër klube, por jo që mund të mbajmë këtë nivel për tërësinë e lojës dhe sidomos jo në tërësinë e një kampionati intenziv siç ishte ky”, ka thënë përzgjedhësi Taip Ramadani.
Qipro – Kosova 24:22 (14:14)
Kosova: Ahmeti 4, Hoxha 4, Beshiri 3, Dedaj 3, Terziqi 3, Jupa 2, Xhafolli 2, Abdullahi 1, Berisha, Gerbeshi, Krasniqi, Quni, Ramosaj, Dre. Tahirukaj, Dri. Tahirukaj, Zherka.