Përfaqësuesja shumë e motivuar para sfidave kualifikuese për botëror.

Në foto shihen lojtarët e Kombëtares sonë bashkë me përzgjedhësin, Taip Ramadani dhe trajnerët tjerë.

Të mërkurën mbrëma hendbollistët e përfaqësueses së Kosovës kanë nisur fazën e fundit të përgatitjeve para paraqitjes në kualifikimet për kampionatin botëror që vitin e ardhshëm mbahet në Danimarkë e Gjermani. Nën urdhërat e përzgjedhësit Taip Ramadani dhe shtabit teknik të tij, hendbollistët kanë treguar përkushtim të madh që në stërvitjen e parë, që nuk kishte ngarkesë shumë të madhe. Përfaqësuesja është e grumbulluar në Prishtinë, ndërsa do të zhvilloi nga dy stërvitje në ditë deri më 11 janar kur do të udhëtoi për në Portugali, ku do t’i luajë ndeshjet e grupit të katërt të raundit të parë të kualifikimeve evropiane për botëror. Kosova është në grup me Portugalinë, që e organizon turneun e grupit të katërt, me Poloninë e nivelit të superior dhe me Qipron.

Ndeshjen e parë përfaqësuesja jonë e luan më 12 janar ndaj Polonisë favorite të grupit. Më 13 janar përballet me Portugalinë, ndërsa më 14 janar me Qipron. Të gjitha ndeshjet i luan në Povoa do Varzim të Portugalisë.

“Filluam kampin përfundimtar me një stërvitje të lehtë. Kemi në përgatitje 20 lojtarë, por i presim edhe Valon Dedajn e Etrit Xhafollin, që kanë lojë të rëndësishme kampionale në klubet e tyre. Posa të përfundojnë ndeshjet ata udhëtojnë për në Kosovë dhe bashkohen me grupin. Motivi në ekip është jashtëzakonisht i lartë. Ka humor dhe shoqëri të mirë mes lojtarëve, por ata janë poashtu të vetëdijshëm që konkurrenca është shumë e fortë për pozita. Gjithsesi është një konkurrencë pozitive dhe për këtë kam respekt të madh ndaj lojtarëve”, ka thënë përzgjedhësi Taip Ramadani.

Gati gjysma e përfaqësueses, pra kryesisht lojtarët e klubeve kosovare, kanë pasur një kamp edhe në ditët e fundit të dhjetorit. Në kampin e mbajtur në Gjakovë është punuar kryesisht në ngritjen e nivelit fizik të lojtarëve. Tashmë prioritetet kanë ndryshuar.

“Plani është të punojmë në përgatitjen taktike dhe teorike. Do të ketë analiza të inçizimeve dhe do të punohet në zhvillimin e sistemeve të lojës. Jemi të fokusuar në përmirësimin e mbrojtjes dhe sidomos kordinimit të lojtarëve dhe portierit. Pastaj do të punojmë në kundërzbritjtet ekipore sepse në Bullgari kemi vërejtur që kjo është pika jonë e dobtë. Në fund do të punojmë edhe për përmirësimin e sistemeve të sulmit. Nuk do të bëjmë shumë ndryshime në këtë aspekt, vetëm përmirësime. Do të kërkojmë mënyra për të zhvilluar sulme më të suksesshme”, ka theksuar Ramadani.

Ai në shtabin teknik, pos Fatmir Muhaxherit, për këtë fazë të garave i ka edhe Fadil Kçikun që vjen nga Gjermania dhe Igor Dokmanoviqin, që është nga Kroacia, por që punon në Norvegji. Dokmanoviq ka qenë kryetrajner i përfaqësueses U-18 të Kroacisë  dhe i është bashkuar shtabit teknik të Kosovës me rekomandim të Federatës së Hendbollit të Kroacisë.

Përfaqësuesja ka bërë hapa para në vitet e fundit dhe pritet që një hap drejt ngritjes së nivelit ta bëjë edhe në ndeshjet kualifikuese në Portugali.

“Synimi është të sigurojmë një fitore dhe t’i shtyjmë polakët dhe portugezët deri në fund. Realisht këto dy ekipe kanë përvojë ndërkombëtare të madhe dhe shumica e lojtarëve të tyre luajnë javë për javë në Ligën e Kampionëve, përvojë që neve na mungon. Janë favoritë por nuk do t’ia dhurojmë askujt fitoren pa luftë”, është i vendosur përzgjedhësi Ramadani. 

Lajme tjera