Përfaqësuesja U-20 kthehet në Kosovë

Pasi shteti serb nuk ka lejuar hendbollistet e përfaqësueses U-20 të Kosovës që të luajnë ndeshjet kualifikuese për botërorin e këtij viti, delegacioni i Kosovës të shtunën mbrëma është kthyer në shtëpi. Ndeshjet është dashur të luhen në afërsi të Beogradit, prej të premtes deri të dielen, por shteti serb fillimisht ndaloi zhvillimin e ndeshjes mes Serbisë e Kosovës e më pas edhe ato të Kosovës me Norvegjinë e Sllovakinë. Serbia u përjashtua nga turneu, ndërsa të premten është luajtur vetëm takimi Norvegji – Sllovaki. Të premten është dashur të përballen edhe Serbia e Kosova.

Federata jonë i propozoi EHF-së që dy ndeshjet të luhen në Prishtinë, të dielen e të hënën, dhe propozimi u vlerësua lart në një situatë të vështirë. Por delegacionet e Sllovakisë dhe Norvegjisë pas konsultimeve me federatat përkatëse nuk pranuan mundësinë që nga Beogradi të udhëtojnë për në Prishtinë që të luajnë ndeshje, për shkak të arsyeve të tyre. FHK-ja mori të gjitha masat që këto ndeshje të luhen në Prishtinë, por propozimi i saj nuk u pranua, ndonëse u vlerësua lart.

Kështu të shtunën në ora 14:00 delegacioni i Kosovës, nën masa të rrepta të sigurisë u nis për në Kosovë. Pati përcjellje të vazhdueshme deri në kufi, ndërsa në Prishtinë lojtaret arritën rreth orës 20:00.

Pritet një vendim i EHF-së për terminin e dy ndeshjeve dhe për vendin e zhvillimit të tyre.

Lajme tjera