Kombëtarja U17 e Kosovës në hendboll (vajzat) e ka luajtur të mërkurën ndeshjen e fundit në kuadër të fazës grupore të Kampionatit Evropian të Divizionit B.
Në Klaipeda të Lituanisë, vajzat tona janë takuar pikërisht me Lituaninë dhe kanë pësuar me rezultat 33:17.
Pjesa e parë dhe fillimi i pjesës së dytë ishin thuajse të barabartë, me vendaset që kishin epërsi të lehtë. Por më pas u paraqit një krizë e thellë në lojën e Kombëtares sonë dhe kështu epërsia e vendaseve u rrit.
Pas pjesës së parë rezultati ishte 15:12. Por në pjesën e dytë kanë ndikuar gabimet teknike e sidomos gjuajtjet e paselektuara. Nga ngutia lojtaret tona nuk kanë zgjedhur pozitë për të gjuajtur drejt portës dhe kjo e ka bërë dallimin. Kishte shumë goditje të pasuksesshme dhe kështu evitimi i humbjes ishte i pamundur. Në pjesën e parë kishte elemente të mira dhe faza të suksesshme të lojës.
Tani Kombëtaren tonë e pret ndeshja për plasman përfundimtar, që është të shtunën.