Përfundon IHF Trophy, pesë ditë me ndeshje të forta e interesante

Me ndeshjen e grupmoshës U20 mes Bullgarisë dhe Kosovës ka përfunduar kampionati IHF Trophy për zonën evropiane. Prej të martës e deri të shtunën në Pallatin e Rinisë në Prishtinë janë luajtur nga katër ndeshje. Kampionati ishte interesant. Shumica e ndeshjeve ishin të forta dhe u shfaq hendboll i nivelit të kënaqshëm.

Te 20-vjeçarët, titullin e kampionit e fitoi Britania e Madhe. Britanikët i fituan të gjitha katër ndeshjet dhe mblodhën tetë pikë. Bullgaria u rendit e dyta me gjashtë pikë, Kosova e treta me katër. Pasuan Malta me dy pikë dhe Andorra, pa pikë. Ndeshjen mes Bullgarisë dhe Kosovës e fituan bullgarët me rezultat 43:25. Më herët të shtunën, Britania e Madhe fitoi 35:18 ndaj Andorrës.

Në grupmoshën U18 titullin e fitoi Gjeorgjia që mblodhi tetë pikë. Pasuan Bullgaria (6), Kosova (4), Britania e Madhe (2) dhe Shqipëria (0).

Federata e Hendbollit e Kosovës edhe njëherë është dëshmuar nikoqire e shkëlqyeshme. Kampionati ka qenë i organizuar në mënyrën e duhur, ndërsa të gjitha delegacionet janë ndarë të kënaqura.
FHK-ja i falënderon ekipet pjesëmarrëse për frymën sportive dhe shndërrimin e ngjarjes në një festë të vogël hendbolli. Britanisë së Madhe U20 dhe Gjeorgjisë U18 u dëshirojmë suksese në fazën interkontinentale të IHF Trophy.

Lajme tjera