Përvojë shumë e rëndësishme e hendbollisteve të reja në Kampionatin Mesdhetar

Kombëtarja U16 e Kosovës në hendboll (vajzat) të shtunën e ka luajtur ndeshjen e fundit në kuadër të Kampionatit Mesdhetar që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi. Për plasman përfundimtar (7-8), vajzat tona luajtën me Greqinë, të cilën e kishin mposhtur më herët. Por këtë herë greket shfaqën pak më shumë dhe fituan takimin.

Ndeshjen e fortë dhe interesante deri në fund, Greqia e fitoi me rezultat 19:17.
Kampionati Mesdhetar është përvojë shumë e rëndësishme për këtë gjeneratë lojtaresh.

Ndonëse i humbën shumicën e ndeshjeve ato kanë mësuar gjëra të reja dhe kanë kuptuar se u duhet shumë më tepër punë në klubet e tyre për të qenë garuese në këtë nivel garash.

Gara në përgjithësi ishte e fortë me Kombëtare shumë cilësore. Në momente Kombëtarja jonë ka shfaqur vlera, por ka munguar vazhdimësia, për të cilën duhet të punohet edhe më shumë në të ardhmen.

Para kësaj gjenerate ka sfida tjera të rëndësishme, ndërsa përvoja e fituar për një javë shumë të ngarkuar në Podgoricë pritet të shërbejë shumë.

Lajme tjera