Polakët u befasuan nga paraqitja e Kosovës

Kosova ka marrë vlerësime edhe nga kundërshtarët për paraqitjen e parë në kuadër të kualifikimeve për botërorin e vitit 2019. Në Povoa de Varzim të Portugalisë, përfaqësuesja e Kosovës në hendboll të premten mbrëma u mposht nga superfuqia Polonia me rezultat 30:19. Por për plot 40 minuta hendbollistët e përfaqësueses tonë ishin plotësisht të barabartë me ata polak.

“Lojtarët e Kosovës janë më të shkurtër dhe shpesh janë munduar të luajnë shpejtë. Kjo u solli rezultat”, ka thënë kapiteni i Polonisë, Piotr Chrapkowski.

Portieri polak Adam Morawski ka thënë se hendbollistët e Kosovës kanë bërë shumë gjuajtje të befasishme. Se Polonia është befasuar nga Kosova në pjesën e pare, është pranuar edhe nga federata polake.

“Gjendja fizike e lojtarëve të Kosovës nënkupton që ata janë të shpejtë dhe kanë shënuar gola nga pozita befasuese. Kjo e bëri të vështirë për ne që të punojmë mes portierëve dhe mbrojtjes. Rivalët nisën furishëm dhe për dallim nga ne ishin shumë të përfshirë në ndeshje”, ka thënë Morawski.

“Nuk e kemi njohur kundërshtarin që na ka befasuar me disa gjuajtje. Në pjesën e dytë kemi mësuar prej kësaj, kemi realizuar kundërsulme dhe kemi punuar mirë në sulm”, ka thënë përzgjedhësi polak Piotr Przybecki.

Edhe mediat polake kanë shkruar për një fitore të vështirë të Polonisë, me shumë telashe.

Lajme tjera