Interesim të madh pritet të ketë për ndeshjen që zhvillohet të shtunën (nesër) nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë në kryeqytet. Do të jenë Prishtina dhe Besa FamGas që do të takohen në derbin e stinorit në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt). Kampionia Besa ka kohë që nuk ka pasur rival të denjë në garën për titull, por Prishtina këtë edicion synon të rivalizojë fuqishëm klubin pejan. Për këtë arsye pritet spektakël hendbolli në palestrën në kryeqytet. Do të paraqitën lojtarët më të mirë të vendit, që janë pjesë e këtyre dy skuadrave.
Besa prinë në tabelë me 30 pikë. I ka fituar të gjitha 15 ndeshjet e deritashme. Prishtina është e dyta me 28 pikë, pas javës së 15-të. Humbjen e vetme e ka pësuar nga Besa në Pejë, në kuadër të javës së shtatë, me rezultat 33:25.
Pejanët në kampionat nuk kanë humbur thuajse plot katër vite. Humbjen e fundit ua ka shkaktuar pikërisht Prishtina në maj të vitit 2014.
“Jemi përgatitur për derbin me Besën. Kemi analizuar ndeshjet e Besës, përballjen tonë të kaluar , dhe jemi munduar të korrigjojmë gabimet që i kemi bërë. Ne e dijmë forcën e Besës dhe shpresojmë të paraqitemi ndryshe nga ndeshja e kaluar”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Verim Zherka. Prishtina ka angazhuar nga Trepça lojtarin reprezentues, Lindrit Fetahu, dhe disa të tjerë. Besa e ka ekipin e njëjtë me atë të vjeshtës. Zherka ka thënë se synim i Prishtinës është fitorja.
Njëjtë shpresojnë edhe në ekipin pejan. Trajneri Arben Muqolli ka thënë se Besës po i mungojnë ndeshjet e forta, ndërsa ka shprehur shpresën se një e tillë do të jetë të shtunën në Prishtinë.
“Por synimi ynë është të vazhdojmë me fitore. Ndryshe nuk dijmë”, ka thënë Muqolli.