Prishtina e ka humbur ndeshjen e parë të rrethit të dytë të Kupës Sfiduese (Challenge Cup) në hendboll. Të shtunën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, skuadra prishtinase pësoi nga skuadra ukrainase ZNTU-ZAB Zaporozhye me rezultat 32:19. Skuadra ukrainase ishte vazhdimisht në epërsi dhe kështu bëri hap të madh drejt kalimit tutje. Në marrëveshje të dy klubeve, të dy ndeshjet luhen në Prishtinë. Të shtunën në ndeshjen e parë në cilësinë e skuadrës vendase luajti ZNTU-ZAB Zaporozhye. Ndeshja e dytë, përkatësisht e kthimit, luhet menjëherë të dielen (nesër) nga ora 14:00.
Pas pjesës së parë rezultati ishte 17:10 në të mirë të ukrainasve. Lojtarët e rinjë të Zaporozhyes me lojë të shpejtë kanë arritur te fitorja. Edhe Prishtina pati momentet e saj pozitive, ndërsa ndeshje me skuadra të forta si Zaporozhye do t’iu shërbejnë shumë lojtarëve të rinjë të Prishtinës. Prishtina është kthyer në gara evropiane pas tri vitesh. Ndeshja u luajt para rreth 900 shikuesve, ndërsa Prishtina pati përkrahje të vazhdueshme nga tifozët e saj, Plisat.
Te Prishtina lojtarët më efikas ishin Labinot Gubetini që shënoi në të gjitha katër tentimet dhe Oltin Beshiri që poashtu realizoi katër herë. Nga tri gola i realizuan Kreshnik Krasniqi e Agon Bajqinovci.
Te Zaporozhye më efikasët ishin Eduard Kravchenko e Ievgen Zhuk me nga tetë gola.
ZNTU-ZAB Zaporozhye – Prishtina 32:19 (17:10)
Prishtina: Ademi, Krasniqi 3, Basholli, Abazi, Bajqinovci 3, Fetahu 1, Beqiraj, Visoka 2, Hoxha 1, Agushi, Murtezi, Beshiri 4, Gjuka 1, Kastrati, Gubetini 4, Gashi.