Prishtina nuk lejon befasi, mposht Rahovecin

Prishtina e ka fituar ndeshjen e fundit në kuadër të Superligës A të Kosovës në hendboll. Të shtunën mbrëma në kryeqytet, Prishtina e mposhti Rahovecin me shifrat 42:34.
Prishtina në plejof starton prej pozitës së dytë. Në gjysmëfinale do të takohet me Trepçën e vendit të tretë. Prishtina i ka mbledhur 45 pikë në 28 ndeshje.
Rahoveci renditet i katërti dhe në gjysmëfinale të plejofit luan me Besa Famgas. Rahovecit i është dashur fitorja të shtunën për të shpresuar në vendin e tretë. Por Prishtina shfaqi më shumë. Rahoveci ka mbledhur 30 pikë në 28 ndeshje, në edicionin debutues në elitë.
Në pjesën e parë Prishtina kryesisht ishte në eprësi të lehtë, ndërsa pas 30 minutave rezultati ishte 20:17 për vendasit. Në pjesën e dytë epërsia e Prishtinës shkoi deri në 10 gola.
Oltion Beshiri e Lulzim Shabani shënuan nga 8 gola për Prishtinën, kurse 7 i kishte Rron Ramadani. Te Rahoveci, Alban Haziri realizoi 8 gola, derisa nga 6 i kishin Adonit Isufi e Besmir Kusari.

Lajme tjera