Prishtina ka dominuar në pjesën e dytë për ta fituar gjysmëfinalen e parë të plejofit ndaj Trepçës. Ndeshja e luajtur të enjten mbrëma në kryeqytet përfundoi me rezultat 34:29 në të mirë të skuadrës vendase.
Pjesa e parë u ka takuar mysafirëve nga Mitrovica që ishin në epërsi të vazhdueshme. Epërsia e “xehetarëve” shkoi deri në tri gola, ndërsa pas pjesës së parë rezultati ishte 16:14 për Trepçën.
Krejt ndryshe ishte pjesa e dytë. Prishtina shfaqi cilësinë që ka dhe e udhëhequr nga pivoti Rron Ramadani arriti ta përmbysë rezultatin. Epërsia e Prishtinës shkoi deri në 10 gola (33:23), por fundi i ndeshjes sërish u takoi mysafirëve që u afruan në 34:29.
Ramadani e Festim Mustafa ishin më efikasët te Prishtina. Të dy realizuan nga 7 gola. 6 i kishte Oltion Beshiri.
Te Trepça, Muhamed Dubovci shënoi 11 gola. Nga 4 i kishin Egzon Ademi, Sali Maxhera e Shpëtim Mehmeti.
Ndeshja e dytë luhet në fundjavë në Mitrovicë. Trepça do të synoj barazimin e rezultatit në 1:1, ndërsa Prishtina do ta synojë kualifikimin në finale.
Ndeshja e parë ishte interesante dhe me tempo të lartë. Për ndeshje të nivelit të lartë shpresohet edhe për atë të fundjavës në “Minatori”.