Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Rahoveci e bën hapin e madh drejt titullit historik

Rahoveci e ka bërë hapin e madh drejt titullit të parë të kampionit të Kosovës në hendboll.
Të shtunën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma”, në ambient të bukur sportiv dhe para një numri shumë të madh shikuesish, Rahoveci e mposhti Besa Famgasin me rezultat 34:30.
Ishte kjo ndeshja e parë e serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës.
Tani Rahovecit i duhet edhe një fitore për t’u shpallur kampion. Ndeshja e dytë zhvillohet në mesjavën e ardhshme në Pejë, ndërsa e treta eventuale sërish në Rahovec.
Pjesa e parë ishte shumë e fortë dhe shumë e luftuar. Vendasit u shkëputën disa herë deri në tri gola por pejanët ia dolën të kthehen me sukses.
Rahoveci shënoi në sekondën e fundit për epërsinë 20:17.
Pjesën e dytë Rahoveci e nisi edhe më furishëm. Shpejtë u shkëput në gjashtë gola, 25:19.
Besa u mundua të reagojë, por u afrua vetëm deri në dy gola. “Vreshtarët” u shkëputën sërish për ta mbyllur ndeshjen në qetësi dhe për festë të madhe pas saj.
Jon Muqolli e Alban Haziri i shënuan nga shtatë gola për Rahovecin. Gjashtë i kishte Victor Alonso. Me shumë pritje, sidomos në pjesën e dytë, u shqua Arbër Curri.
Edhe portieri i Besës, Mursel Mehmeti shfaqi formë të lartë në pjesën e dytë, por që nuk ishte e mjaftueshme.
Marin Mariq i kishte shtatë gola për Besën, derisa pesë herë realizoi Igor Chiesliov.
Loja e dytë po ashtu do të jetë shumë e fortë. Besa do të angazhohet maksimalisht për titull të radhës, ndërsa Rahoveci për titull historik.

Lajme tjera