Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Rahoveci eliminohet por luan tjetër ndeshje të dinjitetshme

Rahoveci mund të jetë i kënaqur me debutimin evropian, marrë për bazë kundërshtarin që kishte përballë. Në dy ndeshjet me kampionin e Çekisë, HCB Karvina, “vreshtarët” janë mbajtur në lojë deri në fund. Para një jave në shtëpi kanë pësuar me rezultat 33:29, ndërsa të shtunën mbrëma në Çeki pësuan me rezultat 32:29.
Ndeshjen më mirë e nisën vendasit që krijuan shpejtë epërsi bindëse. Pjesa e parë përfundoi 19:10. Por Rahoveci nuk u dorëzua. Dhe gradualisht u kthye në lojë, për të barazuar rezultatin në minutën e 49-të në 26:26. Më pas rezultati u barazua edhe disa herë të tjera, për herë të fundit në 29:29 në minutën e 54-t. Por më pas çekët i shënuan tre gola për fitoren 32:29.
De Carvalho Fernandez i kishte 8 gola nga 18 tentime. Adonit Isufi i shënoi 7 gola nga 8 tentime, kurse 6 gola nga 10 tentime i kishte Alban Haziri. Arbër Curri i kishte shtatë pritje, kurse Sadedin Cena ndali pesë nga nëntë gjuajtje.
Rahoveci tani i kthehet Superligës, me synim për paraqitje të re në Evropë. Dhe përvoja e këtij edicioni natyrisht se do t’i shërbejë shumë.