Pasi e mposhti Trepçën në Mitrovicë, Rahoveci do të bëj përpjekje për të fituar pikët me një skuadër tjetër të madhe të Superligës së Kosovës në hendboll.
Rahoveci e pret Prishtinën të dielën nga ora 18:00 në një prej derbive të xhiros së 17-të. Rahoveci është trimëruar pas fitores në Mitrovicë dhe do të jap më të mirën në tentim për një tjetër fitore. Ndërkohë Prishtina ka planet e saj dhe për në Rahovec udhëton për fitore të re, pas asaj ndaj Llapit.
Rahoveci është i katërti me 20 pikë nga 15 ndeshje. Prishtina është e dyta me 27 pikë nga 16 ndeshje.
Me shumë interesim pritet edhe ndeshja tjetër e së dielës në mes të Deçanit dhe Trepçës. Edhe kjo ndeshje zhvillohet prej orës 18:00. Deçani synon fitore, ndërsa mitrovicasit do të mundohen të reagojnë pas disfatës nga Rahoveci.
Deçani është i shtati me 12 pikë. Trepça renditet e treta me 25 pikë.
Rivalitet pritet të ketë edhe në ndeshjen e së shtunës mes Kastriotit dhe Llapit. Kjo ndeshje luhet në Ferizaj nga ora 18:30. Kastrioti është i pesti me 15 pikë, ndërsa po e kërkon formën pas ndryshimeve në skuadër. Llapi është i teti me 10 pikë.
Besa Famgas nuk pritet të ketë telashe ndaj Drenicës, të shtunën nga ora 17:00.