Selektori i Kosovës në hendboll (femrat), Agron Shabani, ka analizuar shortin e fazës së parë kualifikuese për Botërorin 2023. Kosova do të përballet me Ishujt Faroe gjatë muajit nëntor. Ndeshja e kthimit është në Kosovë dhe kjo vlerësohet se na favorizon.
“Në bazë të rezultateve që i kishte me Danimarkën dhe Rumaninë, ekipi i Ishujve Faroe është afër nivelit tonë. Liga e Ishujve Faroe është më e fortë se e jona. Do të jetë sfidë e vështirë për ne, por besoj që nëse jemi të kompletuar, nuk kemi lëndime, mund të kalojmë tutje. Duhet marrë parasyesh që ndeshja e kthimit është në shtëpinë tonë. Nuk do të jetë lehtë, por shpresoj se mund të kalojmë Ishujt Faroe”, ka theksuar Shabani.
Kosova luan për herë të parë me Ishujt Faroe. Ishujt Faroe ishin në vazon e parë në short, ndërsa Kosova në vazon e dytë. Pra Ishujt Faroe janë më lartë në renditje. Por Kosova ka kohë që nuk ka luajtur e kompletuar. Shpresat janë të mëdha që në nëntor në dispozicion do të jenë të gjitha lojtaret. Disa lojtare të rëndësishme si Leonora Demaj e Arlinda Hajdari kanë kaluar lëndime së fundi. Por disa janë ende të lënduara.