Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Shaban Zogaj kthehet me sukses, i gatshëm për ndeshjet me Bosnjë-Hercegovinën

Më 12 janar të vitit të kaluar, Shaban Zogaj kishte pësuar lëndim të rëndë të gjurit. Ai i ishte nënshtruar operimit pas lëndimit të ligamenteve, ndërsa ka pasur fazë të gjatë rikuperimi. Hendbollisti perspektiv i Kombëtares së Kosovës është kthyer tashmë dhe po paraqitet me sukses të plotë në ligën B të Suedisë.
Më herët këtë muaj 20-vjeçari kaloi te skuadra IFK Karlskrona, ku me paraqitje të shkëlqyera po shquhet portieri i Kombëtares sonë, Flamur Gërbeshi.
Zogaj para se të lëndohej ka bërë karrierë në Danimarkë, ndërsa në ndeshjet që i luajti për Kosovën dëshmoi se është lojtar me shumë potencial.
Te IFK Karlskrona debutoi në mënyrën më të mirë, me fitore ndaj liderit të ligës, Amo HK. Në ndeshjen e parë, më 11 shkurt, i shënoi tri gola. Në fitoren 33:31 ndaj Kungalvs HK, më 18 shkurt, shënoi po ashtu tri gola. Dhe më 24 shkurt në humbjen 30:28 nga Vinslovs, numrin e golave e rriti në pesë.
“I kam luajtur tri ndeshje në Suedi. Jam shumë i kënaqur këtu. Më kanë ofruar kushte dhe mundësi të mira për të luajtur. Më kanë pritur shumë mirë gjithashtu”, tregon Shabani.
Në fundjavë ai e luan edhe një ndeshje në Suedi e më pas udhëton për në Prishtinë.
Pas një jave, më 8 mars, Kombëtarja e Kosovës e pret Bosnjë-Hercegovinën në Prishtinë. Kjo është ndeshja vendimtare për kualifikim në Euro 2024.
Me Bosnjën, Kombëtarja jonë luan edhe më 12 mars në Tuzlla.
“Lëndimin e kam kaluar plotësisht dhe jam në formë. Jam shumë i kënaqur që jam ftuar në Kombëtare dhe mezi po pres që të më jepet mundësia për të kontribuar në ndeshjet kundër Bosnjës”, ka theksuar Zogaj.
Ai pritet të jetë shumë i rëndësishëm për Kombëtaren e Kosovës në ndeshjet e këtij muaji.
Prej Suedisë janë ftuar edhe Gërbeshi, Leonard Gegaj dhe Elvir Muqaj.