Shabani: Do të jetë vështirë, por synojmë vendin e parë në grup

Selektori Agron Shabani nesër do ta filloj punën me hendbolliste për ndeshjet eliminatore për “Euro 2022”. Kosova bën pjesë në grupin A të fazës së parë kualifikuese. Ndeshjet me Qipron, Luksemburgun dhe Portugalinë luhen prej 3 deri më 5 qershor në Prishtinë.
Shabani ka konfirmuar se Kombëtarja jonë e synon pozitën e parë që siguron avancimin tutje. Por ka pranuar se do të jetë shumë vështirë, kryesisht për shkak të mungesave të rëndësishme dhe nivelit të lartë të Portugalisë.
Lojtaret tashmë kanë nisur të grumbullohen. Njoma Zogaj, që debuton, tashmë është vendosur në Prishtinë, ndërsa grumbullimi zyrtarisht fillon nesër, kur është edhe stërvitja e parë. Fillimisht të grumbulluara do të jenë kryesisht lojtaret e skuadrave të vendit. Më 29 maj kompletohet ekipi.
“Kemi ftuar 19 lojtare, marrë për bazë që janë tri ndeshje kualifikuese. Synimi ynë është që të mundohemi, të japim maksimumin, që ta kalojmë me sukses këtë sfidë. Pra synojmë rezultat të favorshëm, përkatësisht vendin e parë në grup. Por nuk do të jetë lehtë. Kemi të bëjmë me tre kundërshtarë të rangut të ndryshëm. Për Qipron nuk kemi informata të mjaftueshme. Me Luksemburgun kemi luajtur dy ndeshje miqësore dhe shënuam një fitore e një humbje. Në ato ndeshje ishim thuajse komplet. Luksemburgun e njoh, ka ligë amatore dhe përfaqësuese të re. Portugalia është një Kombëtare në zhvillim e sipër. Me disa rezultate dhe lojë në kualifikimet e fundit kundër Gjermanisë më ka befasuar me lojë të mirë”, ka thënë selektori Agron Shabani në prag të grumbullimit të Kombëtares.
Ai thekson se për shkak të mungesave nuk do të jetë e lehtë. Shabani përmend mungesën e Leonora Demajt, Albana Arifit, Kristina Ukajt, Shkurte Mehmetit, Mirjeta Bytyqit, motrave Rexhepi dhe disa të tjerave.
“Thuajse një ekip e kemi jashtë grumbullimit. Por situata është kështu. Natyrisht kemi lojtare cilësore në përbërje dhe jam i sigurt se do të japin maksimumin. Vajzat janë të vetëdijshme se çka pritet nga ne. Janë të motivuara dhe të vetëdijshme për rëndësinë e turneut kualifikues. Kemi emra të rinj si Njoma Zogaj prej të cilës presim freski. Është Alma Nivokazi, një lojtare në zhvillim. Janë edhe disa emra tjerë të rinj e po ashtu disa lojtare të rëndësishme që kthehen në Kombëtare. Shpresoj që me motrat Hajdari, Gjikokajn, Kelmendin, Markun, Rugovën, Aliun, Kamerin, Halitin, Ramën, Stagovën, Ylberin, Ujkiqin, Istrefin, dy portieret e reja që janë ardhmëria e hendbollit kosovar Ahmetxhekajn e Ukajn, do ta arrijmë qëllimin – t’i kalojmë parakualifikimet. Por e përsëris, në bazë të mungesave do të jetë vështirë. Gjithsesi do të japim maksimumin dhe nuk do të dorëzohemi për asnjë çast”, ka theksuar Agron Shabani.

Lajme tjera