Shala pret përkrahje të madhe për hendbollistet e Istogut

Trajneri i Istogut, Faruk Shala është optimist para ndeshjeve të rrethit të tretë të Kupës Sfiduese me italianet e Cassanno Magnago.

Ndesha e parë luhet të shtunën (sonte) nga ora 20:00 kurse e dyta të dielen (nesër) prej orës 17:00. Të dy ndeshjet luhen në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Shala është i kënaqur me formën e hendbollisteve, ndërsa tregon se përkrahja ndaj tyre do të jetë e madhe. Ai ka treguar se në qytetin e Istogut ka një mobilizim të madh për këto dy ndeshje evropiane.

“Jemi të kënaqur që luajmë ndeshje evropiane. Jemi përgatitur aq sa kemi mundur. Skuadra është e përqendruar dhe është me plot vetëbesim për paraqitje të denjë. Skuadra e Istogut në çdo ndeshje luan për fitore dhe ne do të japim çdo gjë nga vetja dhe nuk do të dorëzohemi deri në fund për të arritur një rezultat pozitiv”, ka thënë Faruk Shala. Istogu i luan ndeshjet në Pejë pasi palestra në Istog nuk po përfundon së ndërtuari.

“Tashmë dihet, kundërshtari më i madh për ne është pamundësia e zhvillimit të ndeshjeve në qytetin e Istogut e sidomos tani këto ndeshje që janë historike për ne dhe qytetin. Por është për t’u admiruar pasi ka një interesim të jashtëzakonshëm. I tërë qyteti i Istogut është ngritur në këmbë për këto ndeshje edhe pse zhvillohen në qytetin e Pejës. Ne presim përkrahje të jashtëzakonshme të qytetarëve të komunës së Istogut dhe pikërisht kjo do të jetë atuja kryesore e skuadrës sonë. Presim që tifozët të jenë lojtari ynë i tetë”, ka përfunduar Shala.

Lajme tjera