Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Sot fillon Evropiani i hendbollisteve

Në Herning dhe Kolding të Danimarkës sot fillon Kampionati Evropian i hendbollit në konkurrencë të femrave. 16 ekipe kombëtare të Evropës kërkojnë titullin e kampionit në ngjarjen që përmbyllet më 20 dhjetor.

Evropiani i 14-të është dashur të mbahet në Danimarkë e Norvegji, por për shkak të situatës me koronavirus, Norvegjia ka hequr dorë nga organizimi. Evropiani zhvillohet nën protokolle të caktuara që për qëllim e kanë ruajtjen e shëndetit të pjesëmarrësve. Teste për COVID-19 do të bëhen rregullisht.

Por për hendbollin është me shumë rëndësi mbajtja e këtij kampionati. Për shkak të pandemisë, kualifikimet ishin ndërprerë në gjysmë. Kosova ishte në grupin 3 të fazës së dytë kualifikuese. Prej këtij grupi në Evropian paraqiten Gjermania e Sllovenia, që ishin rivalet e fundit të Kosovës në ndeshje zyrtare.

16 kombëtaret pjesëmarrëse fillimisht janë të ndara në katër grupe. Në grupin A janë Franca, Danimarka, Mali i Zi dhe Sllovenia. Në grupin B garojnë Rusia, Suedia, Spanja e Çekia. Grupi C përbëhet nga Holanda, Hungaria, Serbia e Kroacia kurse në grupin D janë Rumania, Norvegjia, Gjermania e Polonia.

Më pas formohen dy grupe tjera të raundit kryesor. Prej grupeve të raundit kryesor dalin skuadrat gjysmëfinaliste. Gjysmëfinalet luhen më 18 dhjetor në Herning, ndërsa finalja në të njëjtin vend më 20 dhjetor.

Të enjten (sot) luhen ndeshjet e grupit B: Rusia – Spanja (18:15) dhe Suedia – Çekia (20:30). Në kuadër të grupit D janë ndeshjet Rumania – Gjermania (18:00) dhe Norvegjia – Polonia (20:30).
Evropiani i parë ishte mbajtur në Gjermani në vitin 1994. Prej atëherë kjo garë organizohet çdo dy vjet. Norvegjia ka shtatë tituj të kampionit, Danimarka i ka tre tituj kurse Franca, Hungaria e Mali i Zi nga një. Titullin e mbron Franca që dy vjet më parë në finale e kishte mposhtur Rusinë, 24:21.