Spektakël hendbolli të enjten mbrëma në Rahovec

Spektakël i hendbollit premtohet të jetë ndeshja mes Rahovecit dhe Besa Famgasit. Kjo ndeshje luhet të enjten prej orës 19:00 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Numri i shikuesve pritet të jetë i madh, ndërsa nuk do të mungojë loja e fortë dhe atraktive nga fillimi e deri në fund.
Rahoveci – Besa Famgas është ndeshje e mbetur e xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në hendboll. Ndeshja ishte shtyrë për shkak të angazhimeve të skuadrës pejane në gara evropiane.
Besa Famgas është kampione në fuqi dhe pretendente e vazhdueshme për trofe. Por këtë edicion titullin e kampionit e kërkon edhe Rahoveci, që ka bërë ndryshime të mëdha në përbërje, duke o forcuar shumë. Rahoveci është ngritur vazhdimisht në vitet e fundit dhe këtë synon ta dëshmojë ndaj skuadrës më të mirë të dekadave të fundit në hendbollin kosovar.
Asnjëra skuadër nuk ka pësuar humbje deri më tani. Rahoveci ka pesë fitore, ndërsa Besa Famgas ka fituar katër ndeshjet e deritashme. Superderbi pritet të jap sinjale për forcën e vërtetë të dy skuadrave në këtë edicion. Besa po ashtu ka bërë ndryshime të mëdha, ndërsa tashmë ka fituar Superkupën e Kosovës.

Lajme tjera