Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Spektakli në Ferizaj i takon Kastriotit

Kastrioti e ka fituar derbin e xhiros së 16-të dhe të stinorit pranveror në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt). Të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, Kastrioti e mposhti kampionin aktual, Besa Famgas me rezultat 20:17. Ndeshja e ka arsyetuar epitetin e derbit të madh. Në një atmosferë të mirë sportive, para afro 1500 shikuesve, vendasit kanë arritur fitoren e vlefshme. Ndeshja ishte shumë e fortë, e hapur deri në fund, ndërsa lojtarët dhanë më të mirën e momentit për të bërë paraqitje që i bënë nder skuadrave të tyre por edhe hendbollit kosovar në përgjithësi.

Me fitore, Kastrioti është shkëputuar në vendin e parë me 30 pikë. Besa mbetet e dyta me 28 pikë, por deri në fund të kampionatit ka edhe përballje tjera mes këtyre dy skuadrave, por edhe me skuadrat tjera dhe gara për titull mbetet e hapur.

Skuadrat kanë dhënë shumë sidomos në repartin defanziv, ndërsa te Kastrioti është dalluar portieri A. Curri, që ka bërë shumë pritje. Curri ka kaluar te Kastrioti në afatin e janarit dhe në derbi doli si përforcim mëse i qëlluar. Kontribut shumë të madh në fitore ka dhënë edhe beku dhe lojtari më i mirë i Kosovës për vitin 2018, D. Terziqi. Ai ka shënuar plot 11 gola, ndërsa në momentet e fundit ishte i pandalshëm me gola e asistime për bashkëlojtarët. Edhe gjithë të tjerët kanë dhënë kontribut në fitoren e Kastriotit.

Besa në anën tjetër, ka pasur momentet e mira në ndeshje dhe ka dominuar në periudha të caktuara. Por paraqitja e pejanëve nuk ishte e mjaftueshme për fitore këtë herë. Kështu rezultati në përballjet direkte mes Kastriotit e Besës është 1:1, pasi pejanët kishin fituar në vjeshtë ndeshjen e luajtur në shtëpi. Ajo ishte humbja e vetme për Kastriotin, derisa Besa një disfatë e ka edhe nga Prishtina.

Besa e hapi më mirë ndeshjen dhe në pjesën e parë ishte thuajse vazhdimisht në epërsi të lehtë. Vetëm në fund vendasit shënuan për epërsinë e parë, 8:7. Numri i golave dëshmon për paraqitjen e skuadrave me koncentrim në mbrojtje. Deri në minutën e 50-të rezultati ishte poashtu i ngushtë, ndërsa në minutën e 52-të Kastrioti u shkëput në dy gola, 16:14. Vetëm në minutat e fundit epërsia u ngrit në tri gola, 19:16 e në fund 20:17.

Te Besa më efikasët ishin E. Gjuka e A. Kukrika me nga katër gola.

Të shtunën u luajtën edhe dy ndeshje tjera të javës së 16-të. Drenica fitoi ndaj Dritës në Gjilan me rezultatin bindës, 29:21, kurse Zhegra fitoi ndaj Samadrexhës në Vushtrri me 32:28. Të dielen (14:30) është ndeshja Prishtina – Vushtrria, që përmbyll javën e 16-të.

Kastrioti – Besa Famgas 20:17 (8:7)

Kastrioti: Curri, Syla, B. Syla 2, Zherka, Dugolli, Prekazi 1, Terziqi 11, Shabani 2, Ramadani, Rudari, Mustafa 2, Rajatoski 2, D. Dugolli, Esati.

Besa Famgas: B. Idrizi 3, Broqi, Gjuka 4, Jupa 1, Y. Muqolli, Tetova, D. Tahirukaj 2, Dr. Tahirukaj 1, Ramosaj 2, Kukrika 4, Bislimi, Çuziq, Tafilaj, J. Muqolli, Berisha, Mehmeti.

Samadrexha – Zhegra 28:32 (11:18)

Samadrexha: Sh. Maloku, A. Maloku 10, Hyseni 4, Krasniqi, Sopjani, Bunjaku, A. Basholli, Jashari 6, K. Maloku 5, B. Maloku 1, S. Maloku 2.

Zhegra: L. Haziri, A, Isufi 3, Aliu 6, F. Isufi 5, M. Murseli, SHaqiri 8, Murseli, A. Haziri 10, Ibrahimi.

Drita – Drenica 21:29 (11:16)

Drita: Sylejmani, Latifi 2, Sllamniku 5, Veliu 3, Mehmeti 3, Musliu, Misini 8, Bunjaku, Tosku.

Drenica: Mehmeti 8, TRhaqi, Haxhijaj 6, Haxhiu 1, Zariqi 1, Qorri 1, Klinaku 9, Muqolli, Lladrovci, Hasani 3.