Ferizaj – Istogu është kryendeshja e xhiros së shtatë por edhe e gjithë stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat). Derbi i madh zhvillohet të dielën prej orës 18:00 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Të dy skuadrat pretendojnë titullin e kampionit dhe trofeun e Kupës. Bëhet fjalë për skuadra të konsoliduara që në përbërje kanë lojtare cilësore dhe me përvojë. Istogu e mposhti Ferizajn në ndeshjen për Superkupë, ndërsa është edhe kampion aktual dhe fitues në fuqi i Kupës. Istogu ka kohë të gjatë që nuk ka pësuar humbje dhe udhëton drejt Ferizajt për fitoren e radhës.
Plane të tjera ka skuadra vendase, që synon ta ndal hovin e istogaseve. Ferizaj kërkon fitore për të dëshmuar që ambiciet e mëdha i ka të bazuara. Loja pritet të jetë e fortë, ndërsa atmosfera e bukur dhe sportive.
Për Istogun ndeshja do të shërbejë si provë gjenerale para takimeve të vështira evropiane që i ka javën e ardhshme.
Të dy skuadrat i kanë nga pesë fitore dhe mbajnë pozitat një e dy .
Kastrioti – Jusuf Gërvalla (14:00) dhe Ulpiana – Vëllaznimi (14:00) janë ndeshjet tjera të së dielës. Të shtunën janë takimet Shqiponja – Samadrexha (13:00) dhe Vushtrria – Prishtina (17:00).
Në Ligën e Parë në program është java e gjashtë. Të shtunën janë ndeshjes Vjosa – Drita (17:00) dhe Besa – KEK-u (12:00). Të dielën janë ndeshjet CLICK – Trepça (11:30), Verona – Llapusha (12:00), Prizreni – Dukagjini (13:30).