Ish-përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Taip Ramadani, ka nisur punë të re në hendboll. Ramadani së fundi është emëruar përzgjedhës i Australisë. 49-vjeçari jeton në Australi dhe ka dhënë kontribut të madh për hendbollin në këtë vend.
Ramadani vlerësohet lartë edhe për punën që e ka bërë te Kosova. Me profesionalizimin e tij ka bërë që të rritet niveli i Kombëtares sonë. Ai ka drejtuar Kosovën nga prilli i vitit 2016 e deri në fillim të këtij viti. Në pamundësi për të udhëtuar nga Australia për shkak të kufizimeve që solli pandemia, Ramadani ka hequr dorë nga posti i përzgjedhësit të Kosovës. Por rritja e ekipit tonë kombëtar gjatë kohës së tij ishte shumë e madhe.
Ramadani është prej hendbollistëve më të mëdhenj që ka pasur Australia. Ka luajtur në shumë kampionate botërore e po ashtu në Lojërat Olimpike të vitit 2000. Pjesë e Australisë ishte prej vitit 1993 e deri në vitin 2009.
Selektor i Australisë, Ramadani ka qenë prej vitit 2009 e deri në vitin 2013. Si selektor ishte në dy kampionate botërore. Ka udhëhequr edhe shumë skuadra australiane.
FHK-ja i dëshiron sukses Taip Ramadanit në pozitën e re.