Kampionia e Kosovës, Besa Famgas, të dielën luan ndaj skuadrës rumune Potaissa Turda. Ndeshja që zhvillohet prej orës 18:00 në palestrën “Karagaçi” është e para e raundit të tretë të Kupës Evropiane.
Për më të rejat në kampin pejan dhe për synimet e Besës në ndeshjen ndaj Turdas rumune, është deklaruar trajneri Arben Muqolli.
“Të dielën takohemi me skuadrën nga Rumania, Potaissa Turda. Është një kundërshtar i fortë. Ka kohë që jemi duke u përgatitur për këtë ndeshje dhe jemi të kompletuar. Për dallim nga ndeshja e fundit me Borcin, kemi edhe një lojtar më shumë. E kemi kthyer lojtarin spanjoll Victor Alonso, që ishte me ne kampionatin e kaluar. Me Alonson jemi përforcuar në sulm e në mbrojtje.
Kemi informata të mjaftueshme për kundërshtarin. E dimë se na duhet një rezultati i mirë që të shkojmë më komod në Rumani. Shpresoj që lojtarët do ta kenë një ditë të mirë si në ndeshjen ndaj Borcit dhe shpresoj për një tifozëri të mrekullueshme, siç ishte në ndeshjen e kaluar evropiane. Shpresojmë që numri të jetë edhe më i madh i shikuesve dhe besojmë në fitore”, ka theksuar Arben Muqolli.