Në kampionatin e Kosovës në hendboll (meshkujt) të enjten fillon faza e tretë e garave. Pas edicionit të rregullt në Superligë dhe Superligës A, koha është për plejof, përkatësisht për fazën vendimtare në luftë për titull të kampionit.
Prej orës 20:00 luhet gjysmëfinalja e parë e plejofit në mes të Besa Famgas dhe Rahovecit. Ndonëse Besa është vendase, ndeshja luhet në Rahovec. Besa Famgas i ka fituar të gjitha 28 ndeshjet e këtij edicioni dhe llogaritet favorite e madhe. Por Rahoveci do të jap më të mirën në tentim për të befasuar pejanët.
Skuadra që shënon dy fitore, apo një fitore e një barazim, zë vend në finale të plejofit.
Besa starton në plejof prej pozitës së parë. Rahoveci prej të katërtës.
Gjysmëfinalja tjetër në mes të Prishtinës dhe Trepçës luhet nga ora 20:30 në kryeqytet.
Prishtina është e dyta, ndërsa Trepça e treta. Marrë për bazë përballjet e këtij edicioni, pritet lojë e fortë dhe dramatike deri në fund.
Pak ditë më parë dy skuadrat me traditë u takuan në Mitrovicë. Ndonëse vendasit udhëheqën shumicën e kohës, Prishtina fitoi me rezultat 29:28. Edhe ndeshjen e parë në Mitrovicë, Prishtina e kishte fituar për një gol, 24:23. Në kryeqytet, Trepça mori barazim 34:34 në ndeshjen e parë. Ndërsa ndeshjen e dytë Prishtina e fitoi me rezultat 31:24.
Prishtina llogarit në fitoren e parë të plejofit, por edhe “xehetarët” udhëtojnë për sukses.