Të shtunën derbi për pozitën e parë

Prishtina e Besa FamGas do të takohen të shtunën (nesër) prej orës 19:00 për të përcaktuar se cila prej këtyre dy skuadrave do të startojë nga pozita e parë në plejofin e kampionatit të Kosovës në hendboll për meshkuj. Ndeshja luhet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Është kjo ndeshje e javës së 25-të të Superligës A dhe e fundit në kampionat të rregullt e dy skuadrave që vlerësohen favorite për titull.

Ekipi pejan Besa FamGas është kampion aktual, ndërsa udhëheq në tabelë me 46 pikë. Humbjen e vetme ia ka shkaktuar Prishtina. Prishtina është e dyta me 44 pikë. Dy humbjet e vetme i ka nga Besa.

Fillimisht Besa e Prishtina janë takuar në kuadër të javës së shtatë. Në Pejë, Besa fitoi me rezultat 33:25. Dy skuadrat u takuan edhe në javën e 16-të. Prishtina fitoi në kryeqytet me rezultat 35:29. Në Superligën A, në javën e 20-të, Besa fitoi në Pejë ndaj Prishtinës me rezultatin 23:17.

Dy skuadrat janë mobilizuar maksimalisht për derbin e madh. Pritet rivalitet, lojë e fortë dhe hendboll cilësor. Poashtu pritet një paraqitje korrekte që do të jetë reklama më e mirë për hendbollin kosovar.

Edhe dy ndeshjet tjera të javës së 25-të të Superligës A luhen të shtunën. Nga ora 18:30 takohen Drita e Vëllaznimi, kurse Kastrioti e Zhegra luajnë prej orës 19:00.

Në Superligën B luhet java e 23-të. Të premten (sonte) prej orës 19:00 luajnë Vushtrria e Trepça. Të shtunën nga ora 16:30 është ndeshja mes Samadrexhës e Llapit.

Të shtunën janë edhe dy ndeshjet e javës së 16-të në Superligën A të femrave. Prishtina e Shqiponja luajnë prej orës 15:00 kurse Vushtrria e Istogu prej orës 19:00. Në Superligën B të femrave, poashtu të shtunën, takohen Vëllaznimi me Samadrexhën (15:00) dhe Kastrioti me Dritën (13:00).

Në Ligën e parë të meshkujve është java e 13-të. Të shtunën është ndeshja Drenica – Dukagjini, që nis në ora 19:00 kurse të dielen janë ndeshjet: Ulpiana – Lepenci (17:00), Deçani – Prizreni (14:00).
Te femrat, në Ligën e parë, luhet java e 15-të. Javën e hap ndeshja Jusuf Gërvalla – Llapusha që luhet të shtunën prej orës 12:00.

Ndeshjet tjera janë të dielen: Trepça – Ulpiana (12:00), CLICK – KEK-u (12:00), Dukagjini – Vjosa (13:00), Deçani – Prizreni (12:00).

Lajme tjera