Pesë ndeshjet e javës së dytë të kampionatit të Kosovës në hendboll do të luhen të shtunën (nesër). Katër prej pesë ndeshjeve nisin në kohë të njëjtë, në ora 19:00. Xhiroja e parë në Superligën e hendbollistëve, që u zhvillua javën e kaluar, jep shpresë për ndeshje të mira edhe në xhiron e dytë.
Java nis me ndeshjen mes Prishtinës e Samadrexhës, që fillon në ora 17:30. Prishtina javën e kaluar u mposht nga Drita dhe ndaj Samadrexhës do të kërkojë pikët e para në edicionin 2018\19.
Kampioni Besa Famgas pas fitores së thellë ndaj Trepçës, është favorit i madh ndaj Drenicës. Ndeshja Besa – Drenica luhet në Drenas pasi palestra në Pejë është duke u renovuar. Drenica e kthyer në Superligë e hapi kampionatin me fitore ndaj Vushtrrisë.
Ndeshja në Drenas nis në ora 19:00, njëjtë si tri ndeshje tjera. Rivalitet shpresohet të ketë në derbin gjilanas mes Dritës e Zhegrës. Zhegra në xhiron e parë pësoi nga Vëllaznimi dhe zhegrasit shpresojnë në paraqitje më të mirë.
Kastrioti vlerësohet favorit ndaj Trepçës, ndërsa me rivalitet pritet të jetë takimi në mes të Vushtrrisë dhe Vëllaznimit.