Tri ndeshje të javës së katërt të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt) luhen të shtunën (nesër). Derisa Drita vlerësohet favorite përballë Vushtrrisë dhe Kastrioti përballë Vëllaznimit, në Vushtrri pritet ndeshje e fortë në mes të Samadrexhës dhe Trepçës.
Ndeshja Samadrexha – Trepça edhe e hap javën e katërt. Luhet nga ora 18:00. Samadrexha nuk e ka luajtur ende ndeshjen e javës së tretë ndaj Dritës, ndërsa në dy xhirot e para kishte pësuar humbje. Ndërkohë Trepça është e fundit në tabelë pasi ka humbur tri ndeshjet e para. Kështu të dy skuadrat janë në luftë për pikët e para të këtij edicioni.
Nga ora 19:00 luhen takimet Drita – Vushtrria dhe Kastrioti – Vëllaznimi. Drita ka dy fitore deri më tani, ndërsa Vushtrria ka një fitore, një barazim e një humbje. Vushtrria është e gjashta me tri pikë, ndërsa Drita e katërta me katër pikë, por me një ndeshje më pak të luajtur.
Lider është Kastrioti që ka fituar tri ndeshjet e deritashme dhe i ka mbledhur gjashtë pikë. Përballë Kastriotit në Ferizaj do të jetë Vëllaznimi i Gjakovës, që ka tri pikë në vend të pestë.
Të dielen luhet ndeshja mes Prishtinës e Drenicës, që nis në ora 13:00. Prishtina është e treta me katër pikë ndërsa Drenica e shtata me dy pikë.
Ndeshja mes Besa Famgas dhe Zhegrës do të luhet në mesjavën e ardhshme, pasi të dielen Besa ka ndeshje evropiane. Kampioni aktual, Besa i ka fituar tri takimet e deritashme.