Deniz Terziqi për vite rresht ishte në mesin e hendbollistëve më të mirë. Për vitin 2018 është shpallur më i miri, në ceremoninë e mbajtur të hënën. Në pjesën e parë të vitit të kaluar, hendbollisti mitrovicas ka luajtur për Prishtinën. Ndërsa në pjesën e dytë luajti për Kastriotin, skuadër te e cila vazhdon të jetë.
Me Prishtinën nuk fitoi trofe, por ka rivalizuar fuqishëm Besën, ndaj të cilës edhe fituan njëherë. Kastrioti i udhëhequr nga Terziqi në fushë, ka pasur një gjysmëvit shumë të suksesshëm. Pas stinorit vjeshtor është në vend të parë me 26 pikë, sa i ka edhe Besa Famgas. Poashtu ferizajasit me të pandalshmin Terziqi në përbërje, kanë arritur suksesin e parë evropian. Në raundin e dytë të Kupës Sfiduese, Kastrioti e eliminoi Tallinin e Estonisë pas dy fitoreve të vështira. Në ndeshjen e parë Terziqi kishte shkëlqyer duke shënuar 11 gola. Në të dytën realizoi pesë herë. Më pas Kastrioti u ndal nga Vise e Belgjikës, por Terziqi prap ishte në nivel të lartë. Shënoi 11 gola në ndeshjen e parë e dhjetë në të dytën.
Edhe te kombëtarja e Kosovës, beku i majtë, Deniz Terziqi ishte makineri golash. Ndaj superfuqisë, Gjermanisë, ishte më efikasi me pesë gola. Më efikasi ishte edhe ndaj Polonisë, me katër gola.
Terziqi ka zënë vend në përbërjen e vitit e poashtu ishte golashënuesi më i mirë i vitit 2018.
“Viti 2018 ka qenë me suksese që janë vlerësuar nga sportdashësit dhe njerëzit e hendbollit. Pres që ky vit të jetë me suksese edhe më të mëdha”, ka theksuar Deniz Terziqi. Ai ka pritur të shpallet më i miri. “E kam pritur, duke u bazuar në angazhimin maksimal që e kam pasur gjatë tërë vitiy dhe kontributin aty ku kam luajtur. Ishet një vit i mirë me ndeshje të veçanta. Përshembull kemi luajtur ndaj superfuqisë së hendbollit, Gjermanisë, të cilën më parë kemi mundur ta shohim vetëm në televizion. Ndeshje si ajo janë të rëndësishme për ne. Gjithsesi do të mundohem që viti 2019 të jetë edhe më i mirë. Pres që edhe ky vit të jetë i imi”, ka deklaruar Terziqi.