Tjetër vlerësim i Federatës Ndërkombëtare për FHK-në, në Istog mbahet “IHF Trophy”

Federata Ndërkombëtare e Hendbollit (IHF) vazhdon të vlerësojë shumë lartë Federatën e Hendbollit të Kosovës.
Në vazhdën e thellimit të bashkëpunimit, IHF-ja ia ka besuar federatës sonë organizimin e garës së rëndësishme, IHF Trophy, në konkurrencën e hendbollisteve.
IHF Trophy për zonën evropiane do të organizohet për grupmoshën U17 dhe U19. Pos Kosovës pritet të marrin pjesë edhe Shqipëria, Andorra, Armenia, Azerbajxhani, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Gjeorgjia, Britania e Madhe, Moldavia, Malta.
Kjo ngjarje e rëndësishme, që është edhe kualifikuese për Botëror, mbahet prej 11 deri më 15 tetor në palestrën e qytetit në Istog. Deri atëherë palestra në Istog pritet të rinovohet dhe të jetë plotësisht e gatshme. Fituesit e zonës evropiane kualifikohen për fazën ndërkontinentale. Dhe fituesit e garës ndërkontinentale sigurojnë biletën për në Botëror.
Kombëtaret tona do ta kërkojnë suksesin në këtë ngjarje. Kombëtarja U17 e ka pas disa ditësh Evropianin dhe do të jetë e komponuar për IHF Trophy.
Ndërkohë Kombëtarja U19 tashmë e ka përfunduar Evropianin dhe e ka përvojën e duhur.
FHK-ja prej fillimit ishte partnere serioze e IHF-së. IHF Trophy është organizuar edhe më parë në vendin tonë, ndërsa Federata jonë është shquar si organizatore shembullore edhe e shumë ngjarjeve të tjera.

Lajme tjera