Anëtari i shtabit teknik të kombëtares A të Kosovës në hendboll (meshkujt), Fadil Kqiku ka arritur një sukses të madh me ekipin e tij në Gjermani. Trajneri Kqiku së fundi me skuadrën Wuerm-Mitte ka fituar titullin e kampionit dhe është futur në Ligë të Parë të Bayernit, përkatësisht në Bayernliga.
“Prej xhiros së dytë kemi qenë në vendin e parë dhe me meritë jemi shpallur kampion”, ka treguar Kqiku. Suksesi i arritur fundjavën e kaluar është festuar gjatë në skuadrën gjermane.
“Është një e arritur historike në fakt. Klubi këtë sukses nuk e kishte arritur asnjëherë më parë. Tani do të garojmë në Bayernliga ku luajnë edhe dy lojtarët e kombëtares së Kosovës, Enis Kabashi e Florim Hoxha”, ka shtuar Kqiku. Ai është pjesë e shtabit teknik të kombëtares së Kosovës, që drejtohet nga përzgjedhësi Taip Ramadani.