Trepça barazon me Vogoshqën në ndeshjen e parë

Fituesja e Kupës së Kosovës, Trepça, ka barazuar 27:27 me Vogoshqën e Bosnjë-Hercegovinës në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës Evropiane.
Ndeshja është luajtur të premten mbrëma në Vogoshqa, ku është edhe takimi i dytë, të dielën nga ora 17:00.
Skuadra mitrovicase ka luajtur ndeshje të fortë dhe shumë luftarake me skuadrën nga Vogoshqa.
Pjesa e parë është dominuar nga skuadra jonë, që thuajse gjithë kohën kishte epërsi prej dy golash. Megjithatë në fund Vogoshqa shënoi për 14:13.
Në pjesën e dytë boshnjakët ishin para deri në fund. U shkëputën deri në katër gola, 24:20. Por mitrovicasit u kthyen dhe barazuan 27:27 në minutën e 59-të. Me pak fat, Trepça ka mundur të shënojë për 28:27.
Barazimi megjithatë rrit ndjeshëm motivin për ndeshjen e së dielës. Tani synim i mitrovicasve është kalimi në raundin e tretë të Kupës Evropiane. Natyrisht, e penalizon fakti që është pajtuar që dy ndeshjet t’i luaj në udhëtim.
Deniz Terziqi ka udhëhequr Trepçën me 11 gola. Gjashtë i kishte Lulzim Shabani, ndërsa nga tri i shënuan Shpëtim Mehmeti dhe braziliani Fernandes. E gjithë skuadra e Taib Kabashit ka luftuar nga fillimi e deri në fund dhe u shpërblye me barazimin që shumë lehtë mund të ishte fitore.

Lajme tjera