Trepça fiton derbin me Prishtinën dhe stabilizohet në vendin e dytë

Trepça e ka fituar derbin ndaj Prishtinës në kryeqytet për t’u stabilizuar në vendin e dytë në Superligën A të Kosovës në hendboll. Të dielën në kuadër të xhiros së 22-të, Trepça fitoi me rezultat 35:27. Mitrovicasit e nisën më mirë ndeshjen dhe ishin në epërsi deri në minutën e 23-të, kur Prishtina kaloi para, 13:12. Më pas Prishtina u shkëput në dy gola, 15:13. Trepça nisi më mirë edhe pjesën e dytë dhe shpejt doli para në rezultat. Mbajti epërsi prej dy-tre golash, ndërsa pas minutës së 50-të u shkëput edhe më shumë. Në fund epërsia e Trepçës shkoi në tetë gola. Deniz Terziqi e Lulzim Shabani i shënuan nga tetë gola për Trepçën. Kushtrim Kastrati shënoi gjashtë gola, ndërsa pesë i kishte Sali Maxhera. Sergio Barreto i shënoi gjashtë gola për Prishtinën. Nga katër i kishin Albi Gjuka e Endrit Tafarshiku, ndërsa nga tri i shënuan Enis Kuleta e Petrit Prekazi. Trepça i ka 26 pikë në vendin e dytë. Prishtina mbetet e treta me 21 pikë.

Lajme tjera