Trepça fiton derbin në Rahovec

Sali Maxhera e Fitim Klinaku shënuan nga 6 gola për ta udhëhequr Trepçën drejt fitores në derbin e javës së shtatë të Superligës së Kosovës në hendboll.

Trepça të dielën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec e mposhti skuadrën vendase me rezultatin 25:20. Pas pjesës së parë rezultati ishte 12:10 për “xehetarët”.

Mitrovicasit u kthyen te fitorja pas humbjes së ngushtë që e pësuan javën e kaluar nga Prishtina.
Tani udhëheqin në tabelë me 12 pikë, por Besa Famgas e Prishtina kanë më pak ndeshje të luajtura.
Trepça ishte në epërsi që nga fillimi i ndeshjes. Epërsia shkoi deri në shtatë gola.
Rahoveci mbetet me 8 pikë në pozitën e katërt.

Te Trepça u dalluan me efikasitet edhe Alban Shabani me 5 gola dhe Kushtrim Kastrati me 4 gola.
Te Rahoveci më efikasi ishte Egzon Vuçitërna me 5 gola. Nga 4 i shënuan Arlind Tanushi e Besmir Kusari.

Lajme tjera