Trepça nuk ka lejuar befasi në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Të shtunën mbrëma, “xehetarët” fituan 37:24 ndaj Llapit, në kuadër të javës së pestë të Superligës së hendbollistëve. Për Trepçën ishte fitorja e pestë rresht dhe tani udhëheq në tabelë me 10 pikë, dy më shumë se Besa Famgas e Prishtina. Besa Famgas nuk e ka luajtur ende ndeshjen e xhiros së pestë.
Llapi është i katërti me 6 pikë.
Mitrovicasit herët u shkëputën në rezultat dhe pas 30 minutave shifrat ishin 16:9. Fitorja e Trepçës nuk është rrezikuar në pjesën e dytë, ndërsa në fund rezultati ishte 37:24.
Kushtrim Kastrati e Shpëtim Mehmeti shënuan nga 11 gola për Trepçën. Artir Muçiqi ishte më efikasi te Llapi me 6 gola.
Po të shtunën Kastrioti fitoi në udhëtim ndaj Deçanit me rezultat 29:25. Deçanasit e fituan pjesën e parë me 12:10, por ferizajasit përmbysën rezultatin në pjesën e dytë dhe shënuan fitoren e dytë këtë edicion. Kastrioti është i pesti me 4 pikë. Deçani mbetet në kërkim të pikëve të para.
Në pjesën e dytë, deri në minutën e 40-të Deçani ishte në epërsi. Më pas u luajt ndeshje e barabartë, kurse afër minutës së 50-të Kastrioti kaloi në epërsi që e mbajti deri në fund. Vendasit u afruan në 26:25, por më nuk shënuan dhe pësuan në fund me 29:25.
Festim Mustafa shënoi 14 gola për Kastriotin. Drilon Tahirukaj ishte më efikasi te Deçani me 9 gola.
Të premten, Prishtina fitoi bindshëm ndaj Drenicës, 43:17.