Trepça mposht Besën në Mitrovicë pas një kohe shumë të gjatë

Pas një kohe shumë të gjatë, Trepça e ka mposhtur Besa Famgasin në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Të shtunën mbrëma, Trepça dhe Besa e Pejës kanë zhvilluar derbin e xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në hendboll. Trepça ka fituar me rezultat 35:33. Ndeshja ishte e fortë dhe me fund dramatik. Pas barazimit 33:33 të Besës, mitrovicasit kanë shënuar dy gola e në anën tjetër nuk kanë pranuar asnjë për fitore të rëndësishme. Trepça tani i ka 18 pikë në vendin e tretë. Në vendin e dytë po ashtu me 18 pikë, është Besa Famgas.
Besa Famgas e Trepça kanë fituar gjithë trofetë e këtij edicioni. Skuadra pejane ka fituar titullin e kampionit dhe Superkupën, ndërsa Trepça e ka fituar Kupën e Kosovës. Në finale të Kupës kishte mposhtur pikërisht Besën, por në Prishtinë.
Mitrovicasit kanë nisur ndeshjen mirë dhe ishin vazhdimisht para në rezultat. Pas pjesës së parë rezultati ishte 19:14 për vendasit. Pjesa e dytë ishte dukshëm më e fortë. Pejanët nisën reagimin dhe loja u bë shumë interesante e dramatike. Pak para fundit, Besa Famgas barazoi në 33:33, por fundi megjithatë u takoi vendasve që festuan fitoren.
Kapiteni i Trepçës, Sali Maxhera, i kthyer nga lëndimi që e mbajti jashtë për disa xhiro, i shënoi shtatë gola. Shtatë gola i kishte edhe Hamdi Salihu. Shpëtim Mehmeti e Yassine Henahem i kishin nga gjashtë gola, ndërsame lojë të mirë janë shquar edhe Deniz Terziqi e portieri Liridon Esati që kishte rreth 15 pritje.
Te Besa Famgas më efikasi ishte Ajdin Smajlbegoviq me nëntë gola. Shtatë i kishte Nikola Prce, ndërsa Arbios Mushkolaj e Jon Vokshi i shënuan nga katër gola.
Në ndeshjen tjetër të së shtunës, Kastrioti fitoi bindshëm ndaj Deçanit, 48:36. Festim Mustafa i shënoi 16 gola për Kastriotin, ndërsa dhjetë gola për Deçanin i kishte Florian Rexha.
Kastrioti është i katërti me 14 pikë. Deçani mbetet me katër pikë në pozitën e gjashtë.

Lajme tjera